“Allahu i dëshiron tri gjëra nga ju dhe i urren tri tjera

“Allahu i dëshiron tri gjëra nga ju dhe i urren tri tjera

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i dëshiron tri gjëra nga ju dhe i urren tri tjera.Dëshiron që ju ta adhuroni e të mos i bëni shok Atij, të kapeni të gjithë për Librin e Allahut dhe të mos përçaheni, kurse urren te ju thashethemet, të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.”

[Sahih] [Transmeton Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith tregoi se Allahu i dëshiron tri cilësi nga robërit e Tij dhe i urren tri të tjera. Ai i do prej tyre këto: 1. Ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim. 2. Të kapen të gjithë së bashku pas Litarit të Allahut, Kuranit dhe Sunetit të Profetit të Tij. 3. Të mos përçahen nga xhemati i muslimanëve, por të jenë të bashkuar dhe të mos ndahen. Ndërsa i urren për ta: 1. Fjalët e kota dhe të folurit e tepërt për çështje që nuk u përkasin. 2. Të pyesin për gjëra që nuk kanë ndodhur, ose t’u kërkojnë njerëzve pasuritë dhe paratë e tyre pa nevojë. 3. Shpërdorimin e pasurisë, shpenzimin e saj në rrugë të tjera përveç përdorimeve të lejuara dhe ekspozimin e saj ndaj humbjes.

فوائد الحديث

Allahu i Lartësuar do që adhurimi t'i kushtohet Atij sinqerisht dhe urren t'i bëhet kufër Atij (mosbesim).

Inkurajimi për t'u kapur fort për Litarin e Allahut të Lartësuar, sepse kjo çon në unitet dhe harmoni.

Inkurajimi për xhematin (bashkësinë), urdhërimi për t'iu përmbajtur atij dhe për t’i bashkuar radhët e tij, si dhe ndalimi i së kundërtës së kësaj: përçarjes dhe mosmarrëveshjes.

Ndalimi i të folurit të tepërt për gjëra që nuk i përkasin njeriut, sepse nëse janë të lejuara, në to ka humbje kohe, ndërsa nëse janë të ndaluara, në to ka shtim të mëkateve.

Të shmangësh përhapjen e lajmeve për njerëzit, ndjekjen e gjendjes së tyre dhe tregimin e fjalëve e veprave të tyre.

Ndalimi i kërkimit të tepruar të pasurisë së njerëzve.

Ndalimi i shpenzimit të pasurisë pa dobi dhe nxitja për ta ruajtur atë për gjërat që janë të dobishme.

التصنيفات

Teuhidi uluhije, Shoqëria muslimane