“Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për të Dërguar e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.”

“Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për të Dërguar e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.”

Abas ibn Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për të Dërguar e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se besimtari i sinqertë në besimin e tij, zemra e të cilit është e qetësuar me këtë besim, do të ndiejë dhe do të përjetojë në zemrën e tij kënaqësi shpirtërore, gjerësi, lumturi, ëmbëlsi dhe shije imanore për shkak të afërsisë me Allahun e Lartësuar, për sa kohë që është i kënaqur me këto tri gjëra: Së pari: të jetë i kënaqur me Allahun për Zot, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar dhe e kënaqur ndaj gjithçkaje që vjen nga Allahu, sipas zotërueshmërisë së Tij hyjnore në ndarjen e furnizimeve dhe gjendjeve. Kësisoj, ai nuk duhet të ndiejë asnjë kundërshtim në zemrën e tij ndaj caktimeve të Allahut dhe nuk duhet të kërkojë ndonjë Zot tjetër përveç Tij. Së dyti: të jetë i kënaqur me Islamin për fe, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar ndaj detyrimeve dhe obligimeve që përmban Islami dhe të mos kërkojë rrugë tjetër përveç rrugës së Islamit. Së treti: të jetë i kënaqur me Muhamedin ﷺ për të Dërguar, që do të thotë që zemra e tij të jetë e qetësuar dhe e gëzuar me gjithçka që ka sjellë ai, pa asnjë hezitim e dyshim, dhe të ndjekë vetëm atë që është në përputhje me udhëzimin e tij ﷺ.

فوائد الحديث

Besimi ka një ëmbëlsi dhe shije që shijohet përmes zemrës, ashtu siç shijohet ëmbëlsia e ushqimit dhe pijes përmes gojës.

Trupi nuk e gjen ëmbëlsinë e ushqimit dhe pijes, përveçse kur është i shëndetshëm, po ashtu, nëse zemra është e shëndoshë nga sëmundja e epsheve devijuese dhe e dëshirave të ndaluara, ajo do ta gjejë ëmbëlsinë e besimit. E, sa herë që sëmuret, nuk do ta gjejë ëmbëlsinë e besimit, përkundrazi, mund t'i konsiderojë si të këndshme epshet dhe mëkatet që do ta shkatërrojnë atë.

Nëse njeriu është i kënaqur me diçka dhe e konsideron atë të mirë, atëherë ajo do t'i lehtësohet dhe asgjë prej tyre nuk do t'i duket e vështirë, si dhe do të jetë i kënaqur me gjithçka që ka sjellë feja. Po kështu, nëse hyn besimi në zemrën e robit, nënshtrimi ndaj Zotit të tij do të jetë i lehtë për të, shpirti i tij do të kënaqet dhe vështirësitë e mundimet e tij do të jenë të lehta.

Ibn Kajimi ka thënë: "Ky hadith përfshin kënaqësinë me zotërueshmërinë e Allahut dhe të qenët e Tij i denjë për t'u adhuruar dhe kënaqësinë me të Dërguarin e Tij, nënshtrimin ndaj tij, si dhe kënaqësinë me fenë e Tij dhe dorëzimin ndaj saj."

التصنيفات

Shtimi dhe pakimi i imanit