“Feja është e lehtë, kështu që këdo që mbingarkon vetveten në fenë e tij, feja do ta mundë. Andaj, jini mesatarë, afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret)

“Feja është e lehtë, kështu që këdo që mbingarkon vetveten në fenë e tij, feja do ta mundë. Andaj, jini mesatarë, afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret)

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Feja është e lehtë, kështu që këdo që mbingarkon vetveten në fenë e tij, feja do ta mundë. Andaj, jini mesatarë, afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret). Kur merrni udhë, shfrytëzojeni mëngjesin e hershëm, pasditen dhe një pjesë të natës.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Buhariu]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se feja islame bazohet në lehtësimin në të gjitha çështjet e saj. Ky lehtësim del në pah kur besimtari ka arsye, bie fjala, paaftësia e nevoja. Thellimi në punët fetare (duke e tepruar) dhe braktisja e butësisë (dhe lehtësimit në raport me to) është pasojë për t'u bërë i paaftë për t'i kryer veprat dhe për t'i ndërprerë ato, ose në tërësi, ose pjesërisht. Pastaj Profeti ﷺ inkurajoi që të jemi mesatarë dhe të mos e teprojmë. Robi nuk duhet të tregohet i mangët në raport me gjëra që urdhërohet e as duhet të bartë gjëra që nuk mund t'i përballojë: nëse nuk është në gjendje ta bëjë punën të plotë, atëherë e bën punën në atë formë sa më afër së plotës. Gjithashtu Profeti ﷺ dha sihariq për shpërblimin e madh për atë punë që bëhet në vazhdimësi, qoftë dhe të vogël, për ata që nuk janë në gjendje ta punojnë plotësisht, se, nëse paaftësia nuk është nga vetë ata, atëherë, si pasojë e kësaj, nuk u pakësohet shpërblimi. Dhe, duke qenë se jeta e kësaj bote në të vërtetë është një udhëtim dhe një kalim në botën tjetër, Profeti ﷺ urdhëroi që ta ndihmojmë veten në përkushtimin ndaj adhurimit duke e realizuar atë në tri kohë të favorshme që e aktivizojnë shpirtin: 1. Mëngjesi i hershëm, që të dilet në fillim të ditës, ndërmjet namazit të sabahut dhe lindjes së diellit. 2. Pasditja, që të dilet pas zenitit. 3. Një pjesë e natës, pra, të dilet tërë natën ose në një pjesë të saj, për shkak se puna e natës është më e vështirë se ajo e ditës. Ai urdhëroi në një pjesë të saj, duke thënë: "... një pjesë të natës."

فوائد الحديث

Ligji islam është i lehtë, tolerant dhe mesatar ndërmjet teprimit dhe cungimit.

Robi duhet ta kryejë obligimin në varësi të mundësive, pa u treguar neglizhent dhe pa e tepruar.

Është e rëndësishme që robi të zgjedhë kohë kur është më vital për të bërë adhurim, e këto tri kohë janë ato në të cilat trupi është më i freskët për adhurim.

Ibn Haxher el Askalani shprehet: "Kështu, duket se Profeti ﷺ i është drejtuar me këto fjalë një udhëtari që po shkonte në një destinacion. Këto tri kohë janë koha më e mirë për udhëtarin, kësisoj njoftoi në lidhje me ato kohë kur ka më shumë vitalitet, sepse udhëtari, nëse udhëton natë e ditë pa pushim, do të lodhet dhe do të ndalet, e, nëse ai e zgjedh të udhëtojë në këto kohë energjike, do të jetë në gjendje të vazhdojë udhëtimin pa lodhje."

Ibn Haxheri po ashtu ka thënë: "Ky hadith sinjalizon që të kapemi për lehtësimet fetare, sepse kapja pas vështirësisë - vendosmërisë (ar. azimeh), në vend të lehtësimit, është teprim, fjala vjen kur dikush e braktis tejemumin kur nuk është në gjendje ta përdorë ujin dhe përdorimi i ujit e dëmton."

Ibn Muniri ka thënë: "Në këtë hadith tregohet një prej shenjave të profecisë. Ne kemi parë, ashtu si kanë parë edhe njerëzit para nesh, se çdo person që tregohet teprues në fe përfundon duke u shkëputur (nga ajo). Qëllimi nuk është ndalimi i kërkimit të përsosurisë në adhurim, pasi kjo është diçka e lavdërueshme, por ndalimi i teprimit që çon në lodhje dhe mërzi, ose teprimi në adhurimet vullnetare që çon në lënien e veprave që janë më të mira ose në nxjerrjen e farzit jashtë kohës së tij, si për shembull, dikush që kalon gjithë natën në namaz, pastaj fle dhe e humb faljen e sabahut me xhemat, ose e lë derisa të lindë Dielli dhe të dalë koha e farzit."

التصنيفات

Vlera dhe bukuritë e fesë islame