إعدادات العرض
“Allahu thotë: "Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të
“Allahu thotë: "Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu thotë: "Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë, andaj, ditën që dikush agjëron, të mos thotë fjalë të ndyta e as të mos bërtasë. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë: "Unë jam agjërues!" Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e myshkut. Agjëruesi i ka dy gëzime që i përjeton: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur ta takojë Zotin për agjërimin e tij.”
الترجمة
العربية বাংলা Bosanski English Español فارسی Français Bahasa Indonesia Tagalog Türkçe اردو 中文 हिन्दी Kurdî Kiswahili Português සිංහල Русский Nederlands Tiếng Việt অসমীয়া پښتو ગુજરાતી Hausa Română മലയാളം नेपाली Deutsch Кыргызча తెలుగు ქართული Moore Magyar Svenska Македонски ಕನ್ನಡ አማርኛ Kinyarwanda Українська Wolof Oromoo ไทย Српски Lietuvių मराठी ਪੰਜਾਬੀ دری Malagasy ភាសាខ្មែរ தமிழ்الشرح
Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se Allahu i Lartësuar në hadith kudsij thotë: "Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet: një e mirë shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish, përveç agjërimit: ai është vetëm për Mua, pasi në të nuk ka hipokrizi, dhe Unë jam që shpërblej për të, duke e veçuar vetëm për Vete dijen për masën e shpërblimit dhe shumëfishimin e të mirave të tij." Pastaj tha: "agjërimi është mburojë" dhe mbrojtje, mbulesë dhe kështjellë e fortifikuar nga Zjarri, sepse është largimi nga dëshirat epshore dhe kryerja e mëkateve, kurse Zjarri është i rrethuar me dëshira epshore. "andaj, ditën që dikush agjëron, të mos thotë fjalë të ndyta" rreth marrëdhënieve intime dhe gjërave që i paraprijnë asaj, e as të mos flasë në mënyrë absolute asnjë fjalë të turpshme. "e të mos bërtasë", duke u zënë me të tjerët dhe duke bërë piskamë. "Nëse dikush e shan ose e sulmon", në Ramazan, le të thotë: "Unë jam agjërues!", ndoshta kjo do ta ndalojë atë. Por, nëse ai këmbëngul dhe nuk ndalet përveçse duke sulmuar seriozisht, atëherë (duhet) ta zmbrapsë me mjetin më të lehtë dhe më të butë, siç do të veprohej kundrejt një sulmuesi. Pastaj, Profeti ﷺ u betua në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i tij, se ndryshimi i erës së gojës së agjëruesit për shkak të agjërimit është më i këndshëm për Allahun në Ditën e Gjykimit sesa era e myshkut te ju dhe është më i shpërblyer sesa përdorimi i myshkut që rekomandohet për ditën e xhuma dhe për tubimet e diturisë, ku përmendet Allahu. Agjëruesi ka dy gëzime që i përjeton: kur të bëjë iftar, gëzohet për iftarin e tij, për shkak të largimit të urisë dhe etjes, pasi i është lejuar të prishë agjërimin, si dhe gëzohet për përfundimin e agjërimit dhe mbylljen e adhurimit, për lehtësimin që Zoti ia dha dhe për ndihmën për agjërimet e ardhshme. "dhe gëzohet kur ta takojë Zotin për agjërimin e tij”, për shkak të shpërblimit dhe sevapeve që do t'i marrë.فوائد الحديث
Vlera e agjërimit është se ai e ruan agjëruesin në këtë botë nga dëshirat epshore dhe në botën tjetër nga dënimi i Zjarrit.
Nga normat dhe edukata e agjërimit është të shmangësh fjalët e ndyra e të kota, të durosh ndaj lëndimeve që t'i shkaktojnë njerëzit dhe t'u përgjigjesh sjelljeve të tyre të këqija me durim e mirësi.
Agjëruesi ose adhuruesi, nëse gëzohen për shkak të përfundimit të adhurimit të tyre dhe përmbylljes së tij, kjo nuk ua pakëson shpërblimin në botën tjetër.
Gëzimi i plotë është në takimin me Allahun e Lartësuar, ku durimtarëve dhe agjëruesit do t'u japë shpërblime pa masë.
Njoftimi i njerëzve për një adhurim, kur ka nevojë dhe dobi, nuk konsiderohet si hipokrizi, duke u mbështetur në fjalën e tij ﷺ: "Unë jam agjërues!"
Agjëruesi që ka agërim të përsosur është ai që i kanë agjëruar gjymtyrët nga mëkatet, gjuha nga gënjeshtra, fjalët e ndyra dhe dëshmia e rreme, si dhe stomaku nga ushqimi dhe pija.
Gjatë agjërimit, ndalimi i zhurmës, grindjeve dhe piskamave është më i ndaluar, përndryshe, ai që nuk është agjërues, gjithashtu ndalohet nga këto veprime.
Ky hadith është nga ato që Profeti ﷺ i transmeton nga Zoti i tij dhe quhet hadith i shenjtë (ar. kudsij) ose hyjnor, që shprehja dhe kuptimi i tij janë nga Allahu, vetëm se nuk i ka karakteristikat e Kuranit, që e dallojnë atë nga çdo gjë tjetër, si: të bërët adhurim me leximin e tij, të qenët i pastër gjatë leximit, sfidimi (që të sjellin një të ngjashëm me të), paimitueshmëria etj.
التصنيفات
Vlera e agjërimit