“A e dini se kush është i falimentuari?

“A e dini se kush është i falimentuari?

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuari?” Të pranishmit iu përgjigjën: "I falimentuari te ne është ai që nuk ka as dërhemë e as mall." Atëherë Profeti ﷺ tha: “I falimentuari nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, mirëpo e ka ofenduar filanin, ka shpifur për filanin, e ka ngrënë pasurinë e filanit, ka derdhur gjakun e filanit dhe ka rrahur filanin. Rrjedhimisht, filanit do t'i jepen nga të mirat e këtij, atij tjetrit do t'i jepen nga të mirat e këtij, e, kur t'i harxhohen të mirat para se t'i lajë padrejtësitë ndaj tyre, atëherë do të merren mëkatet e tyre dhe do t'i hidhen këtij dhe më pas do të hidhet në Zjarr.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ i pyeti shokët e tij: "A e dini se kush është i falimentuari?" Ata thanë: "I falimentuari në mesin tonë është ai që nuk ka pasuri e as mall." Kësisoj u tha Profeti ﷺ: "I falimentuari nga umeti im në Ditën e Kiametit është ai që bën vepra të mira, si: namazi, agjërimi dhe zekati dhe vjen, ndërsa dikë ka sharë dhe ka ofenduar, tjetrin e ka akuzuar në nder, të tretit ia ka ngrënë pasurinë dhe e ka mohuar këtë gjë, të pestit i ka derdhur gjakun dhe i ka bërë zullum, të gjashtin e ka rrahur dhe poshtëruar, kësisoj të shtypurit u jepen prej të mirave të tij. Andaj, nëse veprat e tij të mira shteren para se të eliminohen të drejtat dhe zullumet, të shtypurit do t'i hiqen mëkatet dhe do të vendosen në regjistrat e shtypësit (të falimentuarit), pastaj do të hidhet në Zjarr, ku nuk do t'i mbetet asnjë vepër e mirë.

فوائد الحديث

Paralajmërimi për t'u shmangur nga rënia në harame, veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me të drejtat materiale dhe morale të njerëzve.

Të drejtat e njerëzve mes vete janë të bazuara në llogari dhe kërkesë të plotë të drejtësisë, ndërsa të drejtat e Krijuesit, përveç shirkut (idhujtarisë), janë të bazuara në falje.

Përdorimi i metodës së bashkëbisedimit që ngjall kërshërinë e dëgjuesit, tërheq vëmendjen e tij dhe nxit interesimin e tij, veçanërisht në edukim dhe udhëzim.

I falimentuari i vërtetë, sipas kuptimit islam, është ai njeri të cilit kundërshtarët e tij në Ditën e Gjykimit do t'ia marrin veprat e mira.

Hakmarrja në botën tjetër mund t'i zhdukë të gjitha veprat e mira, aq sa të mos lërë asgjë prej tyre.

Allahu i trajton njerëzit në bazë të drejtësisë dhe së vërtetës.

التصنيفات

Jeta e amshuar, Vetitë e këqija