إعدادات العرض
Unë, për robin Tim, jam ashtu siç ai mendon për Mua. Jam me të kur ai më përmend
Unë, për robin Tim, jam ashtu siç ai mendon për Mua. Jam me të kur ai më përmend
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Unë, për robin Tim, jam ashtu siç ai mendon për Mua. Jam me të kur ai më përmend: nëse më përmend në vete, edhe Unë e përmend në Vete, e, nëse më përmend në grup (para të tjerëve), Unë e përmend në një grup më të mirë se ata. Nëse ai më afrohet sa një pëllëmbë, Unë i afrohem sa një kut, e nëse më afrohet sa një kut, Unë i afrohem sa një pash. Nëse ai më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.”
الترجمة
العربية বাংলা Bosanski English Español فارسی Indonesia Tagalog Türkçe اردو 中文 हिन्दी Français Tiếng Việt සිංහල Hausa Kurdî Kiswahili Português தமிழ் Русский Nederlands অসমীয়া ગુજરાતી پښتو മലയാളം नेपाली ქართული Magyar తెలుగు मराठी Македонски Svenska Moore Română Українська ไทย ਪੰਜਾਬੀ دری አማርኛ Wolof ភាសាខ្មែរ ಕನ್ನಡ Malagasy Yorùbá Српски Lietuvių Kinyarwandaالشرح
Profeti ﷺ ka njoftuar se Allahu i Lartmadhëruar thotë: Unë jam ashtu siç mendon robi im për Mua, dhe e trajtoj robin Tim sipas mendimit që ka për Mua kur shpreson dhe pret faljen Time, si dhe veproj me të sipas asaj që ai pret prej Meje, qoftë e mirë apo tjetër gjë. Unë jam me të, me mëshirën, suksesin, udhëzimin, kujdesin dhe ndihmën, kur ai më përmend Mua. Nëse më përmend në veten e tij, kur është vetëm dhe i tërhequr, me tesbih (duke thënë: sunhanallah), tehlil (duke thënë: la ilahe il-lallah), apo forma të tjera, Unë e përmend atë në Veten Time. Dhe nëse më përmend Mua në një tubim, Unë e përmend atë në një tubim më të madh dhe më të mirë. Dhe kushdo që i afrohet Allahut sa një pëllëmbë, Allahu do ta shtojë këtë dhe do t’i afrohet atij sa një kut, nëse i afrohet Atij sa një kut, Ai i afrohet sa një pash, e nëse shkon tek Allahu duke ecuar, Ai shkon tek ai duke vrapuar. Pra, robi kur i afrohet Zotit të tij me bindje dhe angazhim ndaj Tij, Zoti i Lartësuar do ta afrojë atë më tepër si shpërblim për veprat e tij. Sa më i përsosur të jetë adhurimi i besimtarit ndaj Zotit të tij, respektivish të qenët e tij rob ndaj Tij, aq më afër e afron Allahu i Lartësuar, sepse dhurata dhe shpërblimi i Allahut kalojnë veprat dhe mundin e robit. Në të vërtetë, shpërblimi i Allahut është më i madh se veprat e robit, si në cilësi ashtu edhe në sasi. Besimtari ka mendim të mirë për Allahun, vepron, nxiton dhe i shton veprat e tij të mira derisa të takojë Allahun.فوائد الحديث
Ky hadith është nga ato që Profeti ﷺ i transmeton nga Zoti i tij dhe quhet hadith i shenjtë (ar. kudsij) ose hyjnor, që shprehja dhe kuptimi i tij janë nga Allahu, vetëm se nuk i ka karakteristikat e Kuranit, që e dallojnë atë nga çdo gjë tjetër, si: të bërët adhurim me leximin e tij, të qenët i pastër gjatë leximit, sfidimi (që të sjellin një të ngjashëm me të), paimitueshmëria etj.
Axhurriu ka thënë: "Ithtarët e së vërtetës e përshkruajnë Allahun e Lartmadhëruar me atë që Ai e ka përshkruar Veten e Tij, dhe me atë që i Dërguari i Tij ﷺ e ka përshkruar Atë, si dhe me atë që e kanë përshkruar Atë shokët (sahabët) e tij ﷺ. Ky është drejtimi (medhhebi) i dijetarëve që i janë përmbajtur (së vërtetës) dhe nuk kanë shpikur bidade (risi në fe). Pra, ehli suneti ia vërtetojnë Allahut ata emra dhe cilësi që Ai vetë ia ka vërtetuar Vetes, pa bërë tahrif (shtrembërim), tatil (mohim/refuzim), tekjif (pyetje "si është?"/formësim), apo temthil (shëmbëllim). Gjithashtu, ata ia mohojnë Allahut atë që Ai Vetë e ka mohuar për Veten e Tij, dhe heshtin për atë që nuk është pohuar as mohuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." (EshShura, 11)."
Të kesh mendim të mirë për Allahun medoemos duhet të shoqërohet me vepra. Hasen Basriu ka thënë: "Besimtari ka mendim të mirë për Zotin e tij dhe për këtë arsye, bën vepra të mira, ndërsa mëkatari ka mendim të keq për Zotin e tij dhe, për këtë arsye, bën vepra të këqija."
Kurtubi ka thënë: "Është thënë: Kuptimi i fjalës së Allahut "...çfarë mendon robi Im për Mua..." është: të mendosh për përgjigje kur lutesh, të mendosh për pranim kur pendohesh, të mendosh për falje kur kërkon falje, dhe të mendosh për shpërblim kur vepron adhurime me kushtet e tyre, duke u kapur fort për Sunetin e Profetit ﷺ. Prandaj, njeriu duhet të përpiqet me zell për të kryer obligimet që ka, duke qenë i bindur se Allahu do t’ia pranojë dhe do ta falë, sepse Ai e ka premtuar këtë dhe nuk e shkel kurrë premtimin. Por, nëse dikush beson ose mendon se Allahu nuk do t’ia pranojë veprat dhe se ato nuk do t’i sjellin dobi, atëherë kjo është humbje shprese nga mëshira e Allahut, gjë e cila është prej mëkateve të mëdha. Kush vdes me këtë bindje, do të lihet në dorë të mendimit të tij, siç transmetohet në disa rrugë të hadithit të lartpërmendur: "Le të mendojë robi Im për Mua çfarë të dojë." Gjithashtu Kurtubiu ka thënë: "Sa i përket mendimit për falje, duke vazhduar me këmbëngulje në mëkate, atëherë kjo është padituri e qartë dhe vetëmashtrim."
Nxitja për të përmendur Allahun shpesh, si brenda vetes ashtu edhe me gjuhë. Njeriu duhet të ketë frikë Allahun në veten dhe në zemrën e tij, ta kujtojë madhështinë e Tij dhe të drejtën e Tij. Ai duhet të shpresojë tek Ai, ta madhërojë, ta dojë, të ketë mendim të mirë për Të, dhe t’ia kushtojë Atij veprat me sinqeritet. Me gjuhën e tij duhet të thotë: "Subhanallah" (I Lartësuar është Allahu), "Elhamdulilah" (Falënderimi i takon Allahut), "La ilahe il-lAllah" (Nuk ka zot të denjë për adhurim përveç Allahut), "Allahu Ekber" (Allahu është më i Madhi), dhe "La havle ve la kuvvete il-la bil-lah" (S'mund të bëhet asnjë lëvizje dhe nuk ka fuqi për asgjë, veçse me ndihmën e Allahut).
Ibn Ebi Xhemra ka thënë: “Atë që e përmend Allahun, ndërsa ka frikë, Ai e siguron, sikurse edhe atë që e përmend duke u ndjerë i vetmuar (i braktisur), Ai i jep qetësi.”
Pëllëmba, (ar. shibr) nënkupton largësinë nga maja e gishtit të vogël deri te maja e gishtit të madh kur dora është e hapur. Kuti, (ar. dhira) nënkupton largësinë nga maja e gishtit të mesit deri te kockat e bërrylit. Pasha, (ar. Ba) nënkupton largësinë ndërmjet dy krahëve të shtrirë të njeriut, bashkë me pjesën e sipërme të krahëve dhe gjërësinë e kraharorit, që është sa katër bërryla.
