“Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë

“Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu.” - duke bërë me shenjë në gjoksin e tij tri herë. “I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllanë e vet musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith e ka porositur muslimanin që të sillet mirë me vëllain e tij musliman dhe i ka sqaruar disa prej detyrimeve dhe mirësjelljeve që i takojnë ndaj tij; disa prej të cilave janë: Porosia e parë: Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit! Pra, të mos dëshirojë ndonjëri prej jush zhdukjen e mirësisë së tjetrit. Porosia e dytë: Mos e mashtroni njëri-tjetrin! Duke e ngritur çmimin e mallit pa pasur për qëllim ta blini atë; por vetëm për t’i sjellë dobi shitësit ose për t’i bërë dëm blerësit. Porosia e tretë: Mos u urreni njëri-tjetrin! Pra, mos ia dëshironi të keqen tjetrit, e kjo është e kundërta e dashurisë; përveçse kur urrejtja është për hir të Allahut të Lartësuar, atëherë ajo është obligim. Porosia e katërt: Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit! Duke e shmanguar vëllain e tij, duke e injoruar dhe duke e braktisur. Porosia e pestë: Mos ndërhyni në shitblerjen e tjetrit! T’i thotë dikush blerësit të një malli: unë kam si malli i tij, por me çmim më të lirë; ose kam mall më të mirë se i atij me të njëjtin çmim. Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ dha një porosi gjithëpërfshirëse dhe tha: "Bëhuni vëllezër, duke lënë mënjanë gjërat e ndaluara që u përmendën, dhe duke treguar dashuri, butësi, mëshirë, mirësjellje e ndihmë në të mira, së bashku me pastërtinë e zemrave dhe këshillën e sinqertë në çdo gjendje. Disa nga gjërat që rezultojnë nga kjo dashuri, janë: Të mos i bëjë padrejtësi dhe të mos e sulmojë vëllain e tij musliman. Të mos e lërë vëllain e tij musliman t'i bëhet padrejtësi, duke e braktisur në një rast kur ai është në gjendje ta ndihmojë dhe t’ia largojë padrejtësinë. Të mos e përbuzë, të mos ndihet më i lartë se ai dhe të mos e shikojë me sy përçmimi dhe përbuzjeje; sepse kjo buron nga mendjemadhësia që është në zemër. Pastaj Profeti ﷺ e bëri të qartë tri herë se devotshmëria (frika ndaj Allahut) është në zemër. Kush ka në zemrën e tij devotshmëri, që përfshin sjelljen e mirë, frikën ndaj Allahut dhe ndjenjën se Ai të vëzhgon, nuk e përbuz asnjë musliman. Atij i mjafton si veti e keqe dhe ves përbuzja e vëllait të tij musliman; e kjo është për shkak të mendjemadhësisë që ka në zemrën e tij. Pastaj Profeti ﷺ e theksoi atë që u përmend më herët, duke thënë se çdo musliman ndaj muslimanit tjetër e ka të paprekshëm: gjakun e tij; që të mos i bëhet padrejtësi me vrasje apo me diçka më të vogël se ajo, si plagosje, rrahje e të ngjashme; pasurinë e tij; që të mos i merret pa të drejtë; dhe nderin e tij; që të mos fyhet në veten e tij ose në prejardhjen e tij.

فوائد الحديث

Urdhërimi për gjithçka që kërkon vëllazëria e besimit dhe ndalimi nga çdo gjë që e kundërshton atë, qoftë fjalë apo vepër.

Thelbi i devotshmërisë është ajo që gjendet në zemër, si: njohja e Allahut, frika prej Tij dhe ndjenja se Ai të vëzhgon; e kjo devotshmëri sjell si rezultat veprat e mira.

Devijimi i dukshëm tregon për dobësinë e devotshmërisë së zemrës.

Ndalohet dëmtimi i muslimanit në çfarëdo forme, qoftë me fjalë apo me vepra.

Nuk llogaritet si zili, që muslimani të dëshirojë të jetë si tjetri, pa e dëshiruar zhdukjen e mirësisë prej tij; kjo quhet gibta në arabisht, që nënkupton lakminë e mirë, kjo është e lejuar, sepse ndihmon në garimin drejt të mirave.

Njeriu, nga natyra e tij, e urren që dikush t'ia kalojë në virtytet e mira; e nëse ai dëshiron zhdukjen e saj prej tjetrit, kjo është zilia e qortuar, ndërsa nëse dëshiron të garojë me të, kjo është gibta (lakmia e mirë) e lejuar.

Nuk konsiderohet ndërhyrje në shitblerjen e vëllait musliman, kur i shpjegohet blerësit se ai është mashtruar rëndë në blerjen e tij; kjo është prej gjërave që burojnë nga këshilla e sinqertë, me kusht që nijeti i tij të jetë këshillimi i vëllait blerës, e jo dëmtimi i shitësit, sepse veprat shpërblehen sipas nijetit.

Nuk konsiderohet ndërhyrje në shitblerjen e vëllait musliman, nëse dy palët nuk kanë arritur marrëveshje dhe çmimi nuk është vendosur.

Nuk është nga format e urrejtjes së ndaluar në hadith urrejtja për hir të Allahut, sepse ajo është obligim dhe një nga lidhjet më të forta të besimit.

التصنيفات

Virtytet e larta, Dëlirja e shpirtit