“Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.”

“Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.”

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë Profeti ﷺ u ul në minber, kurse ne përreth tij, e në atë rast tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.” Njëri tha: “O i Dërguari i Allahut, e mira a mund ta sjellë të keqen?” Profeti ﷺ heshti, e atij (pyetësit) i thanë: “Ç'është puna jote, po i flet Profetit ﷺ, e ai nuk po ta kthen?” Pastaj vërejtëm se Profetit ﷺ po i zbriste shpallja. Pasi përfundoi, i fshiu djersët dhe pyeti: “Ku është pyetësi?” U duk sikur po e lavdëronte dhe tha: “E mira nuk e sjell të keqen, (dhënia pas grumbullimit të pasurisë së shumtë dëmton sikundërqë) gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që kullot bar të njomë; ajo ha bar të gjelbër, derisa i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), bajgos lehtë urinon dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për syrin) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që ia jep nevojtarit, jetimit ose udhëtarit!” - Ose, sido që të ketë thënë Profeti ﷺ: - “Ai që merr pasuri padrejtësisht, është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të bëhet dëshmitare kundër tij.”

[Ky hadith është sahih] [Muttefek alejhi]

الشرح

Një ditë, Profeti ﷺ u ul në minber, duke folur me shokët e tij dhe tha: Ajo që më frikëson më së shumti për ju dhe që kam droje pas meje, është ajo që do t’ju zbulohet prej begative të tokës, shkëlqimit, stolisjes dhe kënaqësive të kësaj bote, dhe gjithçkaje që ajo përmban nga llojet e ndryshme të pasurisë, rrobave, të mbjellave dhe gjërave të tjera, me të cilat njerëzit krekosen për bukurinë e tyre, pavarësisht se janë të përkohshme. Një burrë tha: "Shkëlqimi i kësaj bote është një begati nga Allahu, pra si mund të shndërrohet një begati e tillë në fatkeqësi dhe ndëshkim?!" Njerëzit e qortuan pyetësin kur vunë re se Profeti ﷺ heshti, duke menduar se e kishte zemëruar. Megjithatë, u bë e qartë se Profeti ﷺ po merrte shpallje, dhe pastaj filloi ta fshinte djersën nga balli i tij, me ç'rat tha: "Ku është pyetësi?" -Ja ku jam, - tha ai. Pastaj, e lavdëroi dhe e falënderoi Allahun dhe tha: "E mira e vërtetë nuk sjell veçse mirësi, por kjo lule (pasuria e kësaj bote) nuk është e mirë e pastër, për shkak të sprovës që sjell, konkurrencës dhe angazhimit me të, duke penguar njeriun nga përkushtimi i plotë për botën tjetër. Pastaj Profeti ﷺ përmendi një shembull dhe tha: "Me të vërtetë, bimësia pranverore dhe gjelbërimi i saj u pëlqen kafshëve, por ato mund të ngordhin nga teprimi në ngrënie për shkak të mbingopjes, ose të jenë pranë ngordhies, përveç atyre që kullosin me kujdes. Ato kullosin, derisa u mbushet barku në të dy anët, pastaj kthehen kah dielli dhe nxjerrin jashtë jashtëqitjet e tyre në formë të butë ose urinojnë, më pas e rikthejnë atë që kanë në stomakun e tyre, e përtypin dhe e gëlltitin, e pastaj fillojnë të kullosin përsëri. Kjo pasuri është si një bimë e gjelbër dhe e ëmbël, e cila mund ta vrasë ose ta çojë dikë pranë vdekjes, nëse është e tepërt, përveç nëse merret në sasi të vogël, aq sa është e nevojshme, dhe përdoret vetëm për të plotësuar nevojat, në mënyrë të lejuar. Në këtë rast, ajo nuk shkakton dëm. Ajo mund të jetë një shoqëruese e mirë për muslimanin, nëse ai jep prej saj për nevojtarin, jetimin dhe udhëtarin. Kushdo që e merr atë me të drejtë, do të ketë bekim në të, por kushdo që e merr padrejtësisht, do të jetë si ai që ha dhe nuk ngopet kurrë, dhe ajo (pasuria) do të jetë dëshmi kundër tij në Ditën e Gjykimit.

فوائد الحديث

Neveviu ka thënë: "Kjo tregon vlerën e pasurisë për atë që e fiton në mënyrë të drejtë dhe e shpenzon në vepra bamirëse."

Profeti ﷺlajmëroi për gjendjen e umetit të tij dhe se si zbukurimet dhe sprovat e kësaj bote do t’u hapen atyre.

Nga udhëzimi i Profetit ﷺ ishte se jepte shembuj për ta përafruar kuptimin e asaj që thoshte.

Inkurajimi për të dhënë lëmoshë dhe për ta shpenzuar pasurinë në vepra bamirësie dhe paralajmërimi kundër koprracisë.

Ajo që kuptohet nga hadithi i Profetit ﷺ: “E mira nuk e sjell të keqen..." është se furnizimi, edhe nëse është i bollshëm, llogaritet si mirësi dhe nuk mund të jetë i keq, përveç nëse ndalohet nga ata që e meritojnë për shkak të koprracisë, ose nëse shpërdorohet në atë që nuk është e urdhëruar. Për më tepër, çdo gjë që Allahu e ka përcaktuar si të mirë, nuk do të bëhet kurrë e keqe dhe anasjelltas. Megjithatë, frikësohet se ai që i është dhënë e mira mund të bjerë në diçka që i sjell të keqen, në varësi të mënyrës se si ai e përdor atë.

Mosdhënia përgjigje me nxitim, nëse ajo kërkon reflektim.

Tibiu ka thënë: "Prej kësaj mund të nxirren katër lloje:

(1). Një që ha në mënyrë të tepërt, e shijon dhe është plotësisht i zhytur në të, derisa brinjët i fryhen dhe nuk ndalet, gjë që shpejt çon në shkatërrimin e tij.

(2) Një që ha në të njëjtën mënyrë, por përdor dredhi për të luftuar sëmundjen, pasi ajo bëhet e rëndë, mirëpo ajo e mposht dhe e çon drejt shkatërrimit.

(3) Një që ha në të njëjtën mënyrë, por nxiton ta largojë atë që e dëmton dhe përpiqet ta shtyjë, derisa të tretet dhe të jetë i sigurt. (4) Një që nuk ha në mënyrë të tepërt dhe nuk zhytet në ngrënie; përkundrazi, ai ha vetëm aq sa ta shuajë urinë dhe ta mbajë veten gjallë. I pari është shembulli jobesimtarit, i dyti është shembulli i mëkatarit që është i pakujdesshëm për të lënë mëkatet dhe për t’u penduar, derisa të jetë tepër vonë, i treti është shembulli i atij që i përzien veprat e mira me të tjera dhe nxiton në pendim, i cili pranohet prej tij, dhe i katërti është shembulli i atij që largohet nga kënaqësitë e kësaj bote dhe kërkon botën tjetër."

Ibn Muniri ka thënë: "Ky hadith përmban krahasime të bukura.

Së pari: Krahasimi i pasurisë dhe shtimit të saj me daljen dhe rritjen e bimëve.

Së dyti: Krahasimi i atij që është i zhytur në fitimin e pasurisë dhe përdorimin e mjeteve për ta arritur atë me kafshët që janë të përqendruara në kullotje.

Së treti: Krahasimi i përpjekjes për ta shtuar dhe ruajtur atë me teprimin në ngrënie dhe mbingopjen.

Së katërti: Krahasimi i fryteve të pasurisë, pavarësisht statusit të saj të lartë në sytë e njerëzve, gjë që ka çuar në teprim në mbajtjen e saj, me jashtëqitjet e kafshëve, që është një sinjal i hollë për ta konsideruar atë si të papastër nga pikëpamja e fesë. Së pesti: Krahasimi i atij që nuk kërkon ta mbledhë dhe ta posedojë atë me delet kur pushojnë dhe shtrihen në anën e tyre përballë diellit, që është një nga gjendjet e tyre më të mira për qetësi dhe rehati, duke treguar ndërgjegjësimin e tyre për interesat e veta. Së gjashti: Krahasimi i vdekjes së grumbulluesit të pasurisë me vdekjen e kafshës që është e pakujdesshme ndaj asaj që e dëmton. Së shtati: Krahasimi i pasurisë me një shoqërues që ka mundësi të shndërrohet në armik, sepse kur pasuria posedohet dhe lidhet fort për shkak të dashurisë për të, kjo rezulton të privohen prej saj nga ata që e meritojnë, duke çuar në ndëshkimin e pronarit të saj. Së teti: Krahasimi i marrjes së pasurisë në mënyrë të padrejtë me atë që ha dhe nuk ndjen kurrë ngopje."

Sindiu ka thënë: "Sipas këtij transmetimi, duhet të plotësohen dy kushte.

Së pari: Pasuria duhet të fitohet në mënyrë të drejtë.

Së dyti: Ajo duhet të shpenzohet në rrugët e duhura. Nëse mungon ndonjëri nga këto dy kushte, ajo bëhet e dëmshme. Mund të thuhet gjithashtu se ky hadith tregon se këto dy kushte janë të lidhura me njëri-tjetrin, pra njeriut i jepet sukses të shpenzojë në rrugët e duhura përveç nëse e fiton pasurinë me të drejtë."

التصنيفات

Përbusja e dashurisë ndaj kësaj bote