Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij

Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu i Madhëruar ka thënë: "Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij. Robi im më afrohet vazhdimisht, duke kryer vepra nafile (vullnetare), derisa Unë ta dua atë. Kur Unë ta dua atë, atëherë do të bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën mbahet, këmba e tij me të cilën ecën dhe nëse ai më kërkon diçka, do t'ia jap atë e nëse më kërkon ta mbroj, do ta mbroj atë. Unë nuk ngurroj për asnjë punë sa ç'ngurroj të marr shpirtin e një besimtari, sepse ai e urren vdekjen dhe Unë urrej t'i bëj keq atij".

[Ky hadith është sahih] [E shënon Buhariu]

الشرح

Përmes këtij hadithi kudsi Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka njoftuar se Allahu i Madhëruar ka thënë se Ai që lëndon dikë nga miqtë e Mi, e zemëron dhe e urren atë, Unë i shpall armiqësinë Time atij. Miku i Zotit është besimtari i devotshëm. Niveli i miqësisë së njeriut me Allahun është sipas besimit dhe devotshmërisë së tij. Ajo që e afron njeriun më së tepërmi me Zotin e tij është ajo që Ai ia ka bërë të detyrueshme, si: bërja e punëve të mira dhe largimi nga punët e këqia. Nëse njeriu vazhdon t'i afrohet Zotit të tij me punë vullnetare, duke i bërë dhe punët e detyrueshme, atëherë ai fiton dashurinë e Allahut. E kur Allahu ta dojë atë, atëherë Ai ia drejton atij këto katër gjymtyrë: I drejton dëgjimin e ai dëgjon vetëm ato fjalë që kënaqin Allahun. I drejton shikimin e ai sheh vetëm atë që Allahu do dhe pëlqen të shihet. I drejton dorën e ai bën me dorën e tij vetëm atë që i pëlqen Allahut. I drejton këmbën e ai shkon vetëm atje ku i pëlqen Allahut dhe vetëm te punët e mira. Veç kësaj, nëse Ai i kërkon diçka Allahut, Ai ia jep atë atij. Kështu, ai bëhet njeri që i pranohet lutja. E nëse kërkon mbrojtjen e Allahut, Ai e mbron atë nga gjërat që i frikësohet. Mandej Allahu i Madhëruar thotë se Unë nuk ngurroj për diçka që do e bëj, aq sa ngurroj kur i marr shpirtin besimtarit. Më dhimbset, ngase ai nuk e pëlqen vdekjen prej dhimbjeve të saj. Kështu, Allahut nuk i pëlqen ajo që i shkakton dhimbje besimtarit.

فوائد الحديث

Ky është prej haditheve që Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) e përcjell nga Zoti i tij. Ky lloj i hadithit quhet hadith kudsi ose hadith hyjnor. Teksti dhe domethënia e tij janë prej Allahut të Madhëruar, vetëm se ai nuk i plotëson veçoritë e Kuranit që e dallojnë atë nga tekstet e tjera fetare, si: leximi i tij është adhurim, pastërtia është kusht për ta prekur dhe është mrekulli sfiduese...etj.

Ndalimi i lëndimit të miqve të Allahut dhe nxitja për t'i dashur ata dhe për të pranuar meritat e tyre.

Urdhëresa e armiqësimit me armiqtë e Allahut dhe ndalesa e miqësimit me ta.

Ai që pretendon se është mik i Allahut, duke mos e zbatuar legjislacionin e Tij, është gënjeshtar në atë që pretendon.

Miqësia e Allahut arrihet përmes kryerjes së punëve të detyrueshme dhe lënies së punëve të ndaluara.

Një prej shkaqeve të dashurisë së Allahut për robin e Tij dhe të pranimit të lutjeve është kryerja e punëve të mira, pasi të ketë kryer punët e detyrueshme dhe të ketë lënë gjërat e ndaluara.

Ky hadith dëshmon për finikërinë e miqve të Allahut dhe për pozitën e tyre të lartë.

التصنيفات

Teuhidi i emrave dhe cilësive të Allahut