“O ju njerëz, Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët

“O ju njerëz, Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O ju njerëz, Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët, duke u thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!" (El Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar." (El Bekare, 172) Pastaj e përmendi njeriun, i cili është në udhëtim të gjatë, me flokë të shprishur e i pluhurosur, i ngre duart nga qielli: "O Zot! O Zot!" Mirëpo, ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram, është ushqyer me haram, e si t'i përgjigjet atij?!”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se Allahu është i pastër dhe i shenjtë, i paprekshëm nga mangësitë dhe të metat dhe se Ai posedon cilësitë e përsosura. Ai pranon vetëm veprat, fjalët dhe bindjet që janë të pastra, respektivisht që janë të sinqerta për Allahun dhe në përputhje me udhëzimin e Profetit ﷺ. Nuk duhet të afrohemi tek Allahu me diçka tjetër përveç kësaj. Ndër gjërat më të rëndësishme që e bëjnë veprën e një besimtari të mirë është ushqimi i tij i pastër dhe hallall. Kjo bën që vepra e tij të jetë e pranuar. Për këtë arsye, Allahu i ka urdhëruar besimtarët me të njëjtën gjë që ka urdhëruar të dërguarit: për të ngrënë hallall dhe për të bërë vepra të mira. Ai ka thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!" (El Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar." (El Bekare, 172) Pastaj, Profeti ﷺ paralajmëroi kundër ngrënies së haramit, e cila e prish veprën dhe pengon pranimin e saj, sado që të përpiqet njeriu të plotësojë shkaqet e dukshme për pranimin e veprës, siç janë: Së pari: udhëtimi i gjatë për akte adhurimi, si: haxhillëku, xhihadi, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe të tjera të ngjashme. Së dyti: flokët e shprishur nga moskrehja, ndryshimi i ngjyrës së tij dhe i rrobave të tij nga pluhuri, pra, ai gjendet në një situatë të rënduar dhe të mjeruar. Së treti: ngre duart drejt qiellit duke bërë lutje. Së katërti: i drejtohet Allahut duke e lutur përmes emrave të Tij dhe ngulmon në këtë: “O Zot! O Zot!” Megjithëse i ka plotësuar këto shkaqe për pranimin e lutjes, lutja e tij nuk merr përgigje. Kjo, sepse ushqimi, pija dhe veshja e tij ishin nga harami, si dhe ishte ushqyer me haram. Prandaj, është e largët që t’i pranohet lutja dikujt që është në këtë gjendje. E si mund t’i pranohet?!

فوائد الحديث

Allahut i Lartësuar është i përsosur në Qenien - Veten e Tij, cilësitë, veprimet dhe në gjykimet e Tij.

Urdhri për ta bërë veprën sinqerisht për Allahun e Lartmadhëruar dhe për ta ndjekur Profetin ﷺ.

Përdorimi i shprehjeve që nxisin për veprim, pasi Profeti ﷺ ka thënë: "Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët." Kur besimtari e di se kjo është nga gjërat që u janë urdhëruar të dërguarve, ai motivohet dhe nxitet për t’iu bindur Allahut të Lartësuar.

Prej pengesave të pranimit të lutjes është ngrënia e haramit.

Prej shkaqeve të pranimit të lutjes janë pesë gjëra: 1. Udhëtimi i gjatë, i cili bën që njeriu të jetë i përulur, e që është një nga shkaqet më të mëdha të pranimit të lutjes, 2. Gjendja e vështirë, 3. Ngritja e duarve drejt qiellit, 4. Lutja drejtuar Allahut me ngulm, duke e përmendur vazhdimisht frazën: "O Zot!", që është një nga shkaqet më të fuqishme për pranimin e lutjes, 5. Ngrënia dhe pirja e produkteve të pastra.

Ngrënia e ushqimit hallall dhe të pastër është një nga shkaqet që ndihmojnë në kryerjen e veprave të mira.

Kadi Ijadi ka thënë: "Fjala: "Tajjib" (i pastër - i mirë) është antonim i fjalës "Habith" (i pistë-i lig), prandaj, kur i atribuohet Allahut të Madhëruar, do të thotë se Ai është i pastër nga mangësitë dhe i shenjtëruar nga ligësitë. Kur një gjë e tillë i atribuohet njeriut, do të thotë se ai nuk ka moral të keq apo vese të shëmtuara, dhe se posedon të kundërtën e kësaj domethënë moral të mirë dhe virtyte të larta. E kur i atribuohet pasurisë, nënkuptohet se ajo është hallall dhe prej pasurive më të mira."

التصنيفات

Teuhidi i emrave dhe cilësive të Allahut, Shkaqet e përgjigjes dhe mospërgjigjes së duave