“Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira para se të vijnë sprova si copëzat e natës së errët

“Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira para se të vijnë sprova si copëzat e natës së errët

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira para se të vijnë sprova si copëzat e natës së errët, në atë kohë njeriu do të gdhihet besimtar, e do të ngryset jobesimtar, ose do të ngryset besimtar e do të gdhihet jobesimtar: e shet fenë për një interes të dynjasë.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith e nxit besimtarin që të shpejtojë dhe të bëjë sa më shumë vepra të mira para se ato të bëhen të pamundura për shkak të preokupimit me shfaqjen e sprovave dhe dyshimeve që e pengojnë besimtarin nga kryerja e punëve të mira. Këto sprova janë si errësira e natës, në të cilën e vërteta përzihet me të kotën dhe për rrjedhojë bëhet e vështirë për njerëzit të bëjnë dallimin mes tyre. Ato janë aq të rënda saqë njeriu çoroditet deri në atë pikë sa në mëngjes është besimtar e në mbrëmje bëhet jobesimtar, si dhe në mbrëmje është besimtar, ndërsa në mëngjes bëhet jobesimtar, duke e braktisur fenë e tij për shkak të kënaqësive kalimtare të kësaj dynjaje.

فوائد الحديث

Është e obligueshme të kapemi fort pas fesë dhe të shpejtojmë të bëjmë vepra të mira para se të na dalin pengesa.

Vënia në pah se sprovat devijuese do të jenë të njëpasnjëshme në fund të kohës (para Kiametit): sa herë që zhduket një sprovë, pason një tjetër.

Nëse fetaria e një personi është e dobët dhe ai heq dorë nga ajo në këmbim të çështjeve të kësaj dynjaje, si pasuria ose gjëra të tjera, atëherë kjo konsiderohet si shkak i devijimit të tij, braktisjes së fesë dhe përfshirjes në sprova.

Ky hadith është argument se veprat e mira janë shkak për të shpëtuar nga sprovat.

Sprovat ndahen në dy lloje: sprovat e dyshimeve, ilaçi i të cilave është dituria, dhe sprovat e epsheve, ilaçi i të cilave është imani (besimi) dhe durimi.

Hadithi tregon se kush është punëpakë, sprova do ta zërë më shpejt, e kush është punëshumë, nuk duhet të mashtrohet nga ajo, por, përkundrazi, të shtojë punët e mira.

التصنيفات

Degët e imanit