“Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri

“Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për atë, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t'i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.”

[Ky hadith është sahih] [Muttefek alejhi]

الشرح

Profeti ﷺ në këtë hadith i sqaroi llojet e pasurisë dhe ndëshkimin për atë që nuk e jep zekatin e saj në Ditën e Kiametit. Prej tyre i përmendi këta: E para: Ari, argjendi dhe çdo pasuri tjetër e ngjashme me to, si mallrat tregtare, për të cilat është obliguar zekati, por nuk është dhënë. Kur të vijë Dita e Kiametit, ato do të shkrihen dhe do të derdhen në formën e pllakave, pastaj do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit dhe pronari i tyre do të ndëshkohet me to. Me to i hekuroset trupi, balli e shpina, si dhe sa herë që të ftohen, do të rinxehen përsëri. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E dyta: Pronari i deveve që nuk e jep zekatin dhe të drejtat e tyre, përfshirë lejimin e të varfërve të marrin qumështin e tyre. Në Ditën e Kiametit, këto deve do të sillen të mëdha, të shëndosha dhe në numrin më të madh që kanë pasur ndonjëherë. Pronari i tyre do të shtrihet në një tokë të gjerë dhe të sheshtë, ku ato do ta shkelin me shputat e tyre dhe do ta kafshojnë me dhëmbët e tyre. Sa herë që të kalojë tufa e fundit, do t'i kthehet përsëri e para. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E treta: Pronari i lopëve dhe deleve, qofshin ato dhen apo dhi, që nuk jep zekatin e tyre të detyrueshëm. Në Ditën e Kiametit, ato do të sillen në numrin e tyre më të madh, pa munguar asnjëra prej tyre. Pronari i tyre do të shtrihet në një tokë të gjerë dhe të sheshtë, ku nuk do të ketë asnjë me brirë të thyer, pa brirë apo me të meta, por të gjitha do të jenë në formën e tyre më të plotë. Ato do ta godasin me brirët e tyre dhe do ta shkelin me thundrat e tyre. Sa herë që të kalojë tufa e fundit, do t’i kthehet përsëri e para. Ky ndëshkim do të vazhdojë gjatë gjithë Ditës së Kiametit, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet, derisa Allahu të gjykojë mes krijesave dhe të vendosë nëse ai do të jetë banor i Xhenetit apo i Zjarrit. E katërta: Pronari i kuajve, të cilët ndahen në tre kategori: E para: Kuajt për të cilët bart barrë mëkati. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për t’u mburrur, për syfaqësi dhe për luftë kundër muslimanëve. E dyta: Kuajt që janë mbrojtje për të. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për xhihad në rrugë të Allahut, pastaj sillet mirë me ta duke u siguruar ushqimin dhe kujdesin e nevojshëm, përfshirë edhe lënien e tyre për çiftëzim. E treta: Kuaj për të cilët ka shpërblim. Kjo vlen për atë që i mban kuajt për xhihad në rrugë të Allahut për t'ia dhënë muslimanëve. Nëse ata kullosin në një livadh apo luginë, çdo kafshatë që hanë do t’i shkruhet si sevap. Gjithashtu, çdo jashtëqitje dhe urinë e tyre do t’i shkruhet si sevap. Nëse e këpusin litarin me të cilin janë lidhur dhe vrapojnë shpejt në një vend të ngritur, çdo gjurmë e tyre dhe çdo jashtëqitje do t’i numërohet si sevap. Po ashtu, nëse kalon pranë një lumi dhe ata pinë ujë prej tij, ndërsa pronari nuk kishte ndërmend t’u jepte ujë, do t’i shkruhet sevap për çdo gllënkë që pinë. Pastaj Profeti ﷺ u pyet se a janë gomarët si kuajt? Atëherë Profeti ﷺ tha se nuk është shpallur ndonjë ligj specifik për to, përveç këtij ajeti të rrallë, i cili është i përgjithshëm për të gjitha llojet e veprave, qofshin të mira apo të këqija, ku thotë Allahu i Lartësuar: "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele, 8) Pra, kush i mban gomarët me qëllim të mirë dhe për bindje ndaj Allahut, do ta shohë shpërblimin për këtë, sikurse kush i mban ata për mosbindje ndaj Tij, do ta shohë ndëshkimin. Ky parim i përfshin të gjitha veprat.

فوائد الحديث

Është obligim dhënia e zekatit dhe ka kërcënim të ashpër për ata që nuk e japin.

Ai që nuk e jep zekatin nga përtacia nuk është jobesimtar, por është në rrezik të madh.

Njeriu shpërblehet për detajet që ndodhin gjatë kryerjes së një akti adhurimi, nëse ka pasur për qëllim vetë veprën, edhe nëse nuk ka pasur për qëllim ato detaje.

Në pasuri ka edhe të drejta tjera përveç zekatit.

Ndër të drejtat në raport me devetë është që të milet qumështi i tyre për të varfrit, që ndodhen pranë vendit ku ato pinë ujë, në mënyrë që të jetë më e lehtë për nevojtarin, sesa të shkojë nëpër shtëpi dhe më e përshtatshme për bagëtinë. Ibn Betali ka thënë: "Në pasuri ka dy të drejta: një që është obligim individual dhe një tjetër. Mjelja e deveve për të varfrit është nga ato të drejta që hyjnë te vlerat e larta morale."

Një nga të drejtat e detyrueshme në deve, lopë dhe dele është huazimi i mashkullit të tyre për çiftëzim atëherë kur kërkohet.

Vendimi për gomarët dhe çdo gjë që nuk është e përcaktuar në tekst fetar është se ajo hyn në fjalën e Allahut: "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele, 7-8)

Ajeti na inkurajon të bëjmë mirë, edhe nëse është diçka e vogël, si dhe na kërcënon për të mos bërë keq, edhe nëse është diçka e parëndësishme.

التصنيفات

Jeta e amshuar, Detyrueshmëria e dhënies së zekatit dhe dispozita për mosdhënësin e zekatit, Vakëfi