Ai që agjëron gjatë gjithë kohës, nuk agjëron. Agjërimi i tri ditëve (në muaj) është sikurse agjërimi i tërë vitit”

Ai që agjëron gjatë gjithë kohës, nuk agjëron. Agjërimi i tri ditëve (në muaj) është sikurse agjërimi i tërë vitit”

Abdullah ibn Amr ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se Profeti ﷺ i tha: “Agjëron tërë kohën dhe falesh tërë natën?” - Po, - i thashë. - “Nëse vepron kështu, do të të thahen sytë dhe do të të lodhet shpirti. Ai që agjëron gjatë gjithë kohës, nuk agjëron. Agjërimi i tri ditëve (në muaj) është sikurse agjërimi i tërë vitit”, - tha ai. - Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë. - “Agjëro sikurse Davudi (alejhi selam), i cili një ditë agjëronte, një ditë hante dhe nuk ikte kur e takonte armikun”, - tha Profeti ﷺ.

[Ky hadith është sahih] [Muttefek alejhi]

الشرح

Profetit ﷺ i erdhi lajmi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) agjëronte pandërprerë gjatë gjithë vitit, pa e ndërprerë agjërimin, dhe falej tërë natën pa fjetur. Atëherë ai e ndaloi nga kjo dhe i tha: “Agjëro e ndërprite agjërimin, falu e fli!” E ndaloi nga agjërimi i pandërprerë dhe nga qëndrimi në namaz gjithë natën, duke i thënë: “Nëse vepron kështu, sytë e tu do të dobësohen e do të fundosen, dhe shpirti yt do të lodhet e rraskapitet.” Ai që agjëron gjithë vitin në të vërtetë nuk ka agjëruar, sepse nuk e merr shpërblimin e agjërimit, për shkak se bie ndesh me ndalesën, dhe nuk e përjeton as dobinë e iftarit, ngase gjithmonë është i përmbajtur. Më pas, i tregoi se mjafton të agjërojë tre ditë çdo muaj, pasi kjo është e barabartë me agjërimin e gjithë vitit, ngase çdo ditë shpërblehet me dhjetë, që është minimumi i shumëfishimit të një vepre të mirë. Abdullahu tha: “Unë mundem më shumë se kaq.” Atëherë Profeti ﷺ tha: Atëherë agjëro si agjërimi i Davudit (alejhi selam!). Ai është agjërimi më i mirë, sepse ai agjëronte një ditë e hante një ditë, dhe nuk ikte kur përballej me armikun, ngase mënyra e tij e agjërimit nuk ia dobësonte trupin.

فوائد الحديث

Agjërimi i tre ditëve në çdo muaj është i barabartë me agjërimin e gjithë vitit, sepse çdo vepër e mirë shpërblehet me dhjetëfish, e kështu ato bëhen tridhjetë ditë. Pra, nëse njeriu agjëron tre ditë në muaj, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.

Ndër mënyrat e thirrjes së njerëzve tek Allahu është inkurajimi për të bërë vepra të mira dhe përmendja e shpërblimit të tyre, sidomos kur ato kryhen rregullisht.

Hatabiu ka thënë: “Në përfundim, ngjarja e Abdullah ibn Amrit, tregon se Allahu i Lartësuar nuk e ka urdhëruar robin e Tij ta adhurojë vetëm me agjërim, por me lloje të ndryshme adhurimesh. Nëse ai lodhet duke u përqendruar vetëm në agjërim, atëherë do të mangësojë në adhurime të tjera. Prandaj, më parësore është të qenët mesatar në agjërim, në mënyrë që njeriu të ketë forcë edhe për lloje të tjera të adhurimit. Këtë e tregon fjala e Profetit ﷺ për Davudin (alejhi selam!): "...nuk ikte kur e takonte armikun", sepse merrte forcë nga prishja e agjërimit për shkak të xhihadit.”

Ndalohet teprimi dhe mundimi i vetes në adhurim. E tërë e mira gjendet në kapjen fort për Sunetin.

Shumica e dijetarëve e kanë mbështetur mendimin se është e papëlqyer (mekruh) të agjërohet pa ndërprerje gjatë tërë vitit. Kjo bëhet e ndaluar (haram), nëse njeriu i shkakton vetes lodhje të tepruar, dëmton veten, ose lë pas dore Sunetin e Profetit ﷺ duke menduar se diçka tjetër përveç Sunetit të tij është më e mirë.

التصنيفات

Agjërimi vullnetar