Vërtet më ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson

Vërtet më ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson

Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha me Profetin ﷺ gjatë një udhëtimi dhe një mëngjes isha afër tij teksa po ecnim, kështu që i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Ai tha: "Vërtet më ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun." Pastaj tha: "A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të mirësisë?! Agjërimi është mburojë, lëmosha i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës." Pastai lexoi: "Ata ngrihen nga shtrati...", derisa arriti te: "... që kanë bërë." (Kuran 32:16-17) Më pas tha: "A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?" Thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: "Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi, kurse kulmi është xhihadi." Më tej shtoi: "A dëshiron të të tregoj për boshtin e të gjitha këtyre?" Unë thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: "Ruaje këtë!" I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe për atë që themi do të merremi në llogari?!” Ai më tha: "Mos të pastë nëna, o Muadh! S’e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!"

الشرح

Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha me Profetin ﷺ gjatë një udhëtimi dhe një mëngjes isha afër tij teksa po ecnim, kështu që i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Në atë rast Pejgamberi i tha: "Më ke pyetur për një vepër, veprimi i së cilës është i rëndë për shpirtrat, por ajo është e lehtë dhe e thjeshtë për atë që Allahu ia lehtëson; kryeji obligimet e Islamit!" E para: ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë në adhurim. E dyta: t'i falësht pesë namazet farz (të detyrueshme) gjatë ditës e natës: sabahun, drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë, të cilat duhet të falen sipas kushteve, shtyllave dhe obligimeve të tyre. E treta: të japësh zekatin e detyrueshëm, që është një adhurim i detyrueshëm financiar për çdo pasuri që arrin një shumë të caktuar sipas ligjit islam, e cila u jepet atyre që e meritojnë. E katërta: të agjërosh muajin e Ramazanit, i cili nënkupton vetëpërmbajtjen nga ushqimi, pija dhe gjërat e tjera që e prishin agjërimin, me qëllim adhurimi, nga agimi deri në perëndim të diellit. E pesta: të kryesh haxhillëkun (pelegrinazhin) në Shtëpinë e Shenjtë duke pasur si qëllim udhëtimin drejt Mekës për kryerjen e riteve të haxhit, në formë adhurimi ndaj Allahut të Lartësuar. Pastaj Profeti ﷺ tha: "A të të tregoj për rrugën që të çon te dyert e mirësive? Obligimet fetare t'i shoqërosh me vepra vullnetare (nafile): Së pari: Agjërimi vullnetar, i cili është një pengesë për rënien në gjynahe, duke e thyer epshin dhe duke dobësuar forcën (që çon në gjynahe). Së dyti: Lëmosha vullnetare e cila shuan mëkatin pas kryerjes së tij, e largon atë dhe fshin gjurmën e tij. Së treti: namazi i natës në një të tretën e fundit të natës. Pastaj Profeti ﷺ e lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: "Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre (me namaz, dhikër lexim të Kuranit dhe lutje) me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër dhe në Xhenet), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë." Pastaj Profeti ﷺ tha: A të tregoj për bazën e fesë, shtyllën në të cilën mbështetet dhe kulmin e saj? Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: "Patjetër, o i Dërguari i Allahut." Profeti ﷺ tha: "Kreu i çështjes është Islami, i cili përfshin dy dëshmitë (dy shehadetet), me të cilat njeriu fiton bazën e fesë." Shtylla e Islamit është namazi, pasi nuk ka Islam pa namaz, ashtu siç nuk mund të ketë shtëpi pa shtylla. Atij që falet, i forcohet dhe i lartësohet fetaria. Lartësimi i fesë arrihet përmes xhihadit, duke dhënë mund në luftën kundër armiqve të fesë për të lartësuar fjalën e Allahut. Pastaj Profeti ﷺ tha: "A dëshiron të të tregoj për mënyrën më të saktë dhe më të përkryer për atë që thamë?" E kapi gjuhën e tij (me dorë) dhe tha: "Ndaloje këtë dhe mos fol për atë që nuk të përket!" Muadhi tha: "A do të na ndëshkojë dhe do të na marrë në llogari Zoti ynë për gjithçka që flasim?!" Profeti ﷺ tha: "Mos të pastë nëna!" Këtu nuk është qëllimi të bëhet lutje kundër tij, por kjo është një shprehje arabe që shërben për të tërhequr vëmendjen ndaj një çështjeje që duhet ta kishte kuptuar dhe ditur. Pastaj Profeti ﷺ tha: “A ka diçka tjetër që i hedh njerëzit dhe i rrëzon me fytyrë në Zjarr, përveçse të korrat e gjuhëve të tyre" si: kufri, akuza e rrejshme, fyerja, përgojimi, bartja e fjalëve, shpifja dhe gjëra të tjera të ngjashme me to.

فوائد الحديث

Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ishin shumë të përkushtuar ndaj dijes, prandaj shpesh e pyetnin Profetin ﷺ rreth saj.

Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) kishin kuptim të thellë në dije, sepse e dinin se veprat janë shkak për hyrjen në Xhenet.

Pyetja që bëri Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është një pyetje madhështore, sepse në thelb ajo përmban sekretin e jetës dhe ekzistencës. Çdo qenie në këtë botë, qoftë nga njerëzit, apo xhindët, ka si pikësynim Xhenetin ose Zjarrin. Prandaj, kjo pyetje është shumë e rëndësishme.

Hyrja në Xhenet varet nga përmbushja e pesë shtyllave të Islamit, që janë: dy shehadetet (dy dëshmitë), namazi, zekati, agjërimi dhe haxhillëku.

Thelbi i fesë, detyra më e çmuar dhe obligimi më i lartë është teuhidi i Allahut, duke e adhuruar vetëm Atë pa i shoqëruar askënd në adhurim.

Mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij qëndron në faktin se Ai ua ka hapur dyert e mirësisë, në mënyrë që të pajisen me shkaqet e shpërblimit dhe faljes së mëkateve.

Vlera e afrimit tek Allahu përmes veprave vullnetare, pas kryerjes së veprave obligative.

Namazi në raport me Islamin është si shtylla për tendën: Islami zhduket me braktisjen e namazit, ashtu siç rrëzohet tenda kur bie shtylla e saj.

Detyrimi për të ruajtur gjuhën nga çdo gjë që ia dëmton njeriut fetarinë.

Përmbajtja e gjuhës, kontrollimi dhe frenimi i saj është themeli i gjithë mirësisë.

التصنيفات

Islami