“Mirësia është edukata e mirë, kurse mëkati është ajo që të bren në gjoks dhe nuk ke dëshirë që njerëzit ta kuptojnë.”

“Mirësia është edukata e mirë, kurse mëkati është ajo që të bren në gjoks dhe nuk ke dëshirë që njerëzit ta kuptojnë.”

Nevas ibën Sem'an Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për mirësinë dhe për mëkatin, e ai më tha: “Mirësia është edukata e mirë, kurse mëkati është ajo që të bren në gjoks dhe nuk ke dëshirë që njerëzit ta kuptojnë.”

[Ky hadith është sahih] [E shënon Muslimi]

الشرح

I Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për mirësinë dhe mëkatin, me ç'rast tha: Aspekti më i madh i mirësisë është të kesh edukatë të mirë: me Allahun (përmes devotshmërisë), dhe me njerëzit (përmes durimit ndaj lëndimeve, shmangies së zemërimit, fytyrës së qeshur, të folurit të mirë, ruajtjes së lidhjeve, bindjes, mirësisë, bamirësisë, sjelljes së butë dhe shoqërimit të mirë). Sa i përket mëkatit, ai është ajo gjendje dyshuese që lëkundet dhe endet brenda shpirtit, kraharori nuk ndihet rehat me të, zemra dyshon dhe ka frikë se është mëkat, dhe njeriu nuk dëshiron ta tregojë para njerëzve të mirë dhe të përsosur për shkak të shëmtisë së saj. Kjo sepse shpirti priret natyrshëm të tregojë të mirën e vet përpara njerëzve; prandaj, kur e urren që një vepër e caktuar të bëhet e ditur për ta, atëherë ajo është mëkat që nuk ka asnjë të mirë në të.

فوائد الحديث

Nxitja për ta përvetësuar edukatën e lartë, sepse edukata e mirë është ndër aspektet më të mëdha të mirësisë.

Besimtari nuk ndjehet i hutuar për të vërtetën dhe të pavërtetën; përkundrazi, ai e njeh të vërtetën përmes dritës së besimit që është në zemrën e tij dhe largohet nga e pavërteta dhe e urren atë.

Ankthi dhe parehatia e zemrës, së bashku me refuzimin për ta bërë të njohur atë veprim para njerëzve, janë prej shenjave të mëkatit.

Sindi ka thënë: "Kjo vlen për çështjet e dyshimta kur njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për zgjedhjen e saktë. Përndryshe, ajo që është e urdhëruar në fe, kur nuk ka ndonjë argument të qartë që të vërtetojë të kundërtën, hyn në kuadër të mirësisë (virtytit), ndërsa ajo që është e ndaluar hyn në kuadër të mëkatit, dhe nuk ka nevojë të kthehemi te zemra dhe qetësia e saj në këto dy raste."

Hadithi u drejtohet atyre që kanë një natyrë të shëndoshë, e jo atyre që kanë zemra të sëmura, të cilat nuk e njohin të mirën dhe nuk e refuzojnë të keqen, përveç asaj që është e gdhendur në to nga tekat e tyre.

Tibiu ka thënë: "Është thënë se mirësia në hadith është interpretuar në mënyra të ndryshme. Në një vend është interpretuar si qetësi e shpirtit dhe e zemrës. Në një vend tjetër si besim, në një vend tjetër si ajo që të afron tek Allahu, e këtu si edukatë e mirë. Gjithashtu edukata e mirë është përkufizuar si: durimi ndaj lëndimeve, përmbajtja nga zemërimi, të qenët me fytyrë të qeshur dhe të folurit e fjalëve të mira. Që të gjitha kanë kuptim të përafërt."

التصنيفات

Virtytet e larta, Veprat e zemrës